Miratimi nga Kuvendi të ndryshimeve kushtetuese është përshëndetur edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ky i fundit thotë se do të vijojnë me profesionalizëm procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përfundimin e tij.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dëshiron të shprehë falënderim dhe mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në funksion të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. KPK falënderon gjithashtu Kuvendin e Shqipërisë për mbështetjen e shprehur edhe njëherë me votë për procesin e vettingut dhe në veçanti për punën dhe angazhimin e Komisionit, duke zgjatur mandatin e tij deri në fund të vitit 2024. Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar dhe ajo e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë përbëjnë njëkohësisht një përgjegjësi të shtuar për trupën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të vijuar me të njëjtin përkushtim, profesionalizëm dhe paanshmëri procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përfundimin e tij. Besimi i publikut do të vijojë të jetë udhërrëfyesi i KPK-së në rrugën e nisur drejt garantimit të një sistemi drejtësie të pavarur, të pakorruptuar e sa më të drejtë për qytetarët”, shkruhet në reagim.
Pas diskutimeve, në Kuvend u votua sot shtyrja e afateve të vettingut. Me 118 vota pro Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për të shtyrë deri më 31 dhjetor 2024 mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (shkalla e parë e vettingut) dhe Komisionerit Publik. 118 votat janë arritur falë votave pro të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërkohë që LSI ka abstenuar ndërsa Berisha ndryshe nga ç’kishte premtuar nuk ka marrë fare pjesë në votim bashkë me grupin e tij.
Socialistët u ndihmuan nga votat e deputetëve të Partisë Demokratike të cilët kushtëzuan kartonin jeshil me ngritjen e 2 komisioneve të Posaçme Parlamentare, atë për Reformën Zgjedhore dhe atë për Reformën Administrativo-Territoriale, për të cilat PD ka propozuar edhe ndryshime kushtetuese. Komisionet e reja u votuan respektivisht me 120 dhe 119 vota pro.