Bota

Pak pasi bashkëshorti i saj…/Ndahet nga jeta artistja franko-iraniane, Marjane Satrapi!

Artistja franko-iraniane Marjane Satrapi, e njohur ndërkombëtarisht për romanin grafik dhe filmin e animuar “Persepolis”, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e saj për agjencinë AFP. “Marjane Satrapi vdiq nga trishtimi pak më shumë se një vit pas vdekjes së Mattias Ripa, bashkëshortit të saj dhe dashurisë së jetës së saj”, thuhet në deklaratën e familjes.

Mattias Ripa, producent, aktor dhe skenarist, u nda nga jeta më 8 prill 2025. Satrapi jetonte në Francë prej rreth tre dekadash dhe konsiderohej një nga zërat më të njohur artistikë të diasporës iraniane. Fama e saj ndërkombëtare lidhet kryesisht me “Persepolis”, sagën autobiografike në katër vëllime që rrëfen fëmijërinë e saj në Iran gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe vitet e mëvonshme të adoleshencës në Evropë.

Vepra u kthye në një sukses të madh letrar në Francë dhe jashtë saj, duke u përkthyer në dhjetëra gjuhë. Në vitin 2007, Satrapi e përshtati librin në një film të animuar së bashku me regjisorin Vincent Paronnaud. Filmi fitoi Çmimin e Jurisë në Festivalin e Kanës dhe u nominua për çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të animuar. Përmes “Persepolis”, Satrapi solli për publikun ndërkombëtar një rrëfim personal mbi revolucionin iranian, luftën Iran-Irak dhe pasojat që këto ngjarje patën mbi jetën e saj dhe të shoqërisë iraniane.

Përveç karrierës si autore dhe regjisore, ajo ishte edhe ilustratore e njohur. Veprat e saj artistike janë ekspozuar në vende të ndryshme dhe shpesh përqendroheshin te figura e gruas, të realizuara me një stil grafik minimalist dhe ndikime të artit pop. “Ndihem e detyruar të shes bukuri. Nuk do ta ndryshoj botën me këtë, por ndoshta mund të ndryshoj mënyrën se si dikush e sheh botën”, deklaronte Satrapi në një intervistë në vitin 2020. Me vdekjen e saj, bota e letërsisë grafike dhe kinemasë humbet një nga zërat më origjinalë dhe më të njohur të dekadave të fundit.