Aktualitet

Parashikimi i motit në vend, mos prisni diell!

Ditën e sotme vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti vijon me vranësira mesatare deri të dendura, si edhe alternime të herëpashershme kthjellimesh e kryesisht në pjesën e parë të ditës.

Reshjet e shiut janë prezente që në mëngjes, me intensitet të ulët. Gjatë ditës, ato mbeten në relievet malore në veri, me intensitet të ulët, për t’u riaktivizuar në orët e mbrëmjes vonë në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet të ulët deri mesatar.

Përgjatë vijës bregdetare dhe në Ultësirën Perëndimore, në periudha afatshkurtra e në mënyrë të izoluar, shirat shfaqen në formën e shtrëngatave, shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në zonën e Alpeve, si edhe në verilindje, lindje e juglindje, në lartësitë mbi 800-900 metër ka reshje dëbore me intensitet të ulët, deri mesatar. Në relievet e larta malore, në mbi 1800 metër bien reshje dëbore në formën e stuhive.

Era fryn në drejtimin juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare 9 m/s dhe përgjatë vijës bregdetare e në zonat luginore, deri në 19 m/s.