Siç pritej, Këshilli Bashkiak i Vlorës zgjodhi Elis Halilin në postin e kryetarit të përkohshëm të Bashkisë së Vlorës. Emri i tij rezultoi më i votuari mes debateve dhe pas bojkotit të këshilltarëve të opozitës.
Socialistët propozuan të kishte votim të hapur, por demokratët kërkuan që procesi të zhvillohej i mbyllur. Pas miratimit të propozimit të socialistëve, këshilltarët e opozitës ranë dakord për bojkot.
Në garë me Halilin ishin edhe dy kandidatet Klea Lalo e Irena Toshkallari. Dorëheqja e Dredhës erdhi më 10 shtator. Sa iu përket debateve në mbledhjen e sotme për Elis Halilin, inxhinier dhe njëri prej nënkryetarëve aktualë të bashkisë, raportohet se ishin të forta. Ai u propozua nga anëtarët socialistë të Këshillit.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, Ervis Moçka, mori fjalën dhe propozoi zyrtarisht kandidaturën e Halilit. Ai deklaroi se kryetar do zgjidhet kandidati me më tepër vota.
Duan apo nuk duan demokratët, Elis Halili do të zgjidhet me shumicë votash.

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Vlorë, Atird Hoxha, kundërshtoi mënyrën e procedimit, duke kërkuar që procesi të ndiqte me përpikëri rregulloren. Ndërkohë, Klodian Xhyheri nga Partia Mundësia akuzoi shumicën për shkelje të rëndë kushtetuese.
Sot i erdhi radha Ermalit, nesër do t’i vijë radha dikujt prej jush. Mos fërkoni duart, por ulërini që është shkelur Kushtetuta me të dyja këmbët.
Pavarësisht kundërshtimeve, Këshilli votoi në favor të Elis Halilit, i cili tashmë merr zyrtarisht drejtimin e Bashkisë së Vlorës.