Ish-zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, sot u arrestua në pikën kufitare të Bllacës, pas më shumë se një viti në arrati. Lajmin e konfirmoi Ministria e Brendshme në Shkup. Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria shtetërore” e ku përfshihet edhe Përparim Bajrami.
Prokurorët dyshojnë se kanë përvetësuar rreth 8 milion euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore, më vonë gjatë ditës.
Prokuroria pati kërkuar ndalimin e Grubit e të Bajramit, me argumentin se “ekziston dyshim i bazuar se veprimet e të dyve kanë pasur qëllim përfitimin e paligjshëm material”.
Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Penale kërkoi paraburgim prej 30 ditësh për Grubin e Bajramin dhe po atë ditë, autoritetet lëshuan urdhërarreste ndërkombëtare.
Në një postim në Facebook, Artan Grubi deklaronte se nuk po arratisej dhe se ishte për vizitë private në Kosovë e se do të kthehej në shtëpi. Ditën pas asaj deklarate, policia kërkoi në dy vende, por nuk e gjeti.
Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski pati thënë se Grubi “bashkë me një person tjetër, biznesmen, janë larguar nga Maqedonia e Veriut me makinë me targa diplomatike duke iu drejtuar vendit fqinj, Kosovës”. Sipas tij, Bajrami nuk ka qenë brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, për një kohë të gjatë.
Ndër të tjera, Grubi është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit ku u përfshi më 9 dhjetor, për shkak të “përfshirjes në korrupsion, për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të mashtruar gjyqësorin”.
Arsyetimi për përfshirje në këtë listë ishte se kanë marrë ryshfet për të ndikuar në procedurat gjyqësore që lidhen me dënimin penal të ish-drejtorit të Administratës së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov, në rastin “Target” të hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), që kishte të bënte me përgjimet masive.
Grubi ka qenë anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, dikur deputet dhe zëvendëskryeministër në qeverinë e mëparshme të LSDM-së e të BDI-së.