Halle Berry i ka dhënë fund më në fund spekulimeve rreth jetës së saj sentimentale, duke konfirmuar publikisht fejesën me partnerin e saj Van Hunt.
Aktorja u shfaq në emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, ku zbuloi unazën e fejesës dhe sqaroi njëherë e mirë keqkuptimin që kishte pushtuar rrjetin.
Për muaj me radhë ishte përfolur se Berry kishte refuzuar propozimin për martesë të Hunt, pas gati gjashtë vitesh lidhje. Por e vërteta, sipas saj, ishte krejt ndryshe. Ajo theksoi se problemi nuk kishte qenë kurrë një “jo”, por mungesa e një date konkrete për dasmën.
U krijua konfuzion sikur ai më propozoi dhe unë e refuzova. Nuk është e vërtetë. Unë nuk thashë ‘jo’, thjesht nuk kemi vendosur ende një datë. Sigurisht që thashë ‘po, do të martohesha me të’
-u shpreh aktorja gjatë intervistës.
Gjatë emisionit, Berry nuk ngurroi të tregonte edhe unazën solitare që i kishte dhuruar Hunt, duke bërë shaka se ishte “një unazë e vogël”, ndërsa Jimmy Fallon reagoi i habitur nga madhësia e diamantit.
Ky konfirmim vjen disa muaj pasi Van Hunt kishte deklaruar publikisht se i kishte propozuar aktores, por pa marrë një përgjigje pozitive në atë moment.
Berry kishte shpjeguar më herët se eksperiencat e saj të mëparshme në martesë e kishin bërë më të kujdesshme në marrjen e këtij hapi.
Aktorja ka qenë e martuar tri herë: me David Justice, Eric Benét dhe Olivier Martinez. Van Hunt, nga ana tjetër, ka një martesë të mëparshme.
Çifti u njoh në vitin 2020 dhe u afrua fillimisht në distancë gjatë pandemisë, përpara se ta bënin lidhjen publike në Instagram në shtator të atij viti. Debutimi i tyre në tapetin e kuq ndodhi në ceremoninë e Oscarëve në vitin 2021.
Në fund, Halle Berry duket më e qartë se kurrë: fejesa është fakt, thjesht dasma do të vijë kur të jetë momenti i duhur.