Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiç, tha se nuk është optimist që nesër kur është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të mund të formohet edhe ekzekutivi i ri. Këto deklarata i bëri pasi u regjistrua si deputet i legjislaturës së IX.
Nuk jam optimist që nesër do të votojmë për qeverinë.
Në seancën e 15 prillit, në rend dite është betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të parlamentit. Rashiç deklaroi se do të marrë pjesë në seancë dhe se do të votojë për kryeparlamentarin, që duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, “nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm”.
Rashiç, i cili aktualisht është ministër në detyrë për Kthimin dhe Komunitetet, vuri në dukje se procesi i formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është i gjatë.
Nuk është hera e parë që mund të ndodhë një ngërç i shkurtër. Ju rikujtoj se në vitin 2014 kemi pasur një situatë të tillë. Edhe atëherë, po ashtu kam qenë deputet, por pas dy-tre muajsh u zgjidh ajo krizë. Në këtë rast, po konsideroj që varianti më i mirë do të ishte që partia më e madhe të formojë qeverinë sepse çdo opsion tjetër do ta komplikonte procesin, qoftë të demokratizimit, qoftë të drejtimit qeveritar e qoftë të afrimit të Kosovës me Bashkimin Europian. Prandaj, opsioni më i mirë në këtë moment është që partia më e madhe të marrë përgjegjësinë e drejtimit.
Ai ka fituar 1 nga 10 vende sa janë të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb. Nëntë të tjerat i siguroi Lista Serbe, partia e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka të drejtën që të propozojë kryeparlamentarin e të mandatohet e para për formimin e qeverisë. Si për kryeparlamentarin, ashtu edhe për qeverinë, këtij subjekti i duhen 61 vota.
Më herët, Albin Kurti pati deklaruar se për kryetarin e kuvendit dhe formimin e qeverisë, planifikonte të votohej në të njëjtën ditë. LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Kurti, preferon të krijojë institucionet e reja me komunitetet joserbe, por tani e pranon se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar vende në Kuvend.