Rajoni

Përparimi i Serbisë në BE, normalizimi me Kosovën ndër kushtet kryesore!

Hapja e grupit të tretë të kapitujve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian do të merret në konsideratë pasi vendi të bëjë përparim të rëndësishëm në fushën e sundimit të ligjit, lidhur me kapitujt 23 e 24,  si dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Kështu thuhet në versionin e përditësuar të draft-konkluzioneve për Serbinë, që diskutohen sot nga ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë dokument përsëritet:

Përparimi i Beogradit në fushën e sundimit të ligjit e në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit.

Konkluzionet për zgjerimin duhet të miratohen në nivel ambasadorësh dhe më pas formalisht, në takimin e ministrave për Çështjet Europiane, më 17 dhjetor në Bruksel. Negociatat mes Brukselit dhe Beogradit për anëtarësimin e Serbisë në bllok, janë të ngrira, kryesisht për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga pala serbe.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull që nga dhjetori 2021. Hungaria, vend që kryeson Bashkimin Europian deri më 31 dhjetor, e ka lënë të hapur mundësinë për hapjen e grupit të tretë të kapitujve për Serbinë, për të cilin Komisioni Europian konsideron se vendi është teknikisht i gatshëm.

Por, Hungaria është përballur me rezistencë nga një numër i caktuar shtetesh anëtare që përveç problemit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, këmbëngulin për përparim në sundimin e ligjit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Për çdo vendim mbi mundësinë e hapjes ose mbylljes së kapitujve apo grupit të kapitujve në procesin e anëtarësimit, është i nevojshëm pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk e ka statusin e kandidates për anëtarësim në bllokun europian, ndonëse ka aplikuar.