Aktualitet

Pika kufitare e Kakavijës e ngarkuar, rekomandohen Sopiku e Tre Urat

Vetëm përmes pikë-kalimit të Kakavijës, rreth 7 mijë shtetas shqiptarë e të huaj kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa ata që dalin nga territori ynë, janë më të paktë në numër. Por pavarësisht kësaj, prej mesnatës u detyruan të prisnin 2 orë në rradhë, në anën greke të kufirit. Situata u normalizua kur u shtua një sportel. Ndërkaq, në pjesën shqiptare punohet me personel të dyfishuar dhe me 4 sportele në hyrje. Për të shmangur dyndjen e njëkohshme në Kakavijë, autoritetet rekomandojnë të shfrytëzohen dhe pikëkalimet e Sopikut e të Tre Urave, ku nuk ka fluks. Ndërkaq, në akset kombëtare në jug të vendit, raportohet shtim i masave për të përballuar trafikun e rënduar që shoqëron muajin gusht, në pikun e sezonit veror. Akset ku po kryhen punime dhe ato me ngarkesë automjetesh  në hyrje të Gjirokastrës, në Qafën e Muzinës e në zonën e Ujit të Ftohtë po mbikëqyren nga patrullat e Policisë Rrugore.