Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e një dite më parë pritet të jetë më e ulëta historike në raport me numrin e zgjedhësve të regjistruar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri më 19:00, referuar të dhënave paraprake, pjesmarrja në votime ishte 42.16%.
Teksa këtë vit ishin të regjistruar mbi 3.7 milion votues, numri më i lartë historik në zgjedhjet e zhvilluara të pas ’90-ës, numri i votuesve, sipas të dhënave paraprake nuk pritet t’i kalojë 1.6 milion. Kjo është pjesëmarrja më e ulët historike, në zgjedhjet e pas ’90-ës, tregues direkt i nivelit të lartë të emigracionit në vend.
Në vitin 2021, pjesmarrja në zgjedhje ishte 46.3% dhe po në nivele të ngjashme kishte qenë dhe më 2017-ën (46.8%), ndërsa në vitin 2013 ishte 53.5%.
Emigrimi i lartë ka reduktuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Nga pjesëmarrje mbi 90% në vitet ’90, këtë vit Shqipëria nuk pritet të ketë pjesmarrje më të lartë se 42%, (edhe nëse përfshihet vota e rreth 200 mijë emigrantëve, një risi për këto zgjedhje), duke na renditur në një nga vendet me pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje në rajon.
Sipas listës përfundimtare të publikuar nga Ministria e Brendshme, numri total i qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote në zgjedhjet e 11 Majit 2025 është 3,713,761. Për herë të parë, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kishin mundësinë për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 245,935 qytetarë shqiptarë jashtë vendit janë regjistruar.
Këtë herë po aplikohet një sistem zgjedhor proporcional rajonal me lista të hapura të pjesshme, i cili u miratua pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në korrik 2024. Në këtë sistem, një e treta e kandidatëve janë në lista të mbyllura dhe caktohen nga drejtuesit e partive. Ndërsa dy të tretat janë të hapura dhe votuesit mund të shprehin preferencat e tyre për kandidatët. Teksa pritet dalja e të dhënave, gara e kandidatëve që janë në lista të hapura pritet të jetë e fortë./Monitor