Detaje të reja nga plagosja me armë zjarri në Berat, ku i lënduar mbeti 37 vjeçari Fabjel Toska. Sherri nisi për një parakalim mjetesh dhe i plagosuri doli nga makina për t’u sqaruar me shoferin, kur prej tij u qëllua me plumb në bark. Fabjel Toska (Xhindi) u transportua drejt Spitalit të Traumës, në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi në hyrje të qytetit, në vendin e quajtur “Dogana”.
Fillimisht ishin të paqarta rrethanat, por kur grupi hetimor këqyri kamerat e sigurisë të bizneseve e banesave rreth zonës, u zbulua edhe dinamika.
Mësohet se i plagosuri, Fabjel Toska (Xhindi) po udhëtonte me një mjet tip “Seat”, me një shokun e tij, në aksin nacional Kombinat-Dimal. Nga pamjet filmike duket edhe një mjet tjetër, fuoristradë me ngjyrë të zezë e të dyja mjetet që disa herë parakalojnë njëri-tjetrin.
Pas kësaj, i plagosuri del nga mjeti dhe shkon me vrap te makina tjetër, nga ana e shoferit (për t’u sqaruar se përse po e ndiqte dhe po e parakalonte), por sapo shoferi hapi xhamin, e qëlloi me një plumb në bark. Nga mjeti tip “Seat” duket se del edhe shoku i të plagosurit, i cili kur sheh që Fabjelin e qëllojnë me armë e bie në tokë, ikën më vrap dhe njofton policinë.
Pas plagosjes, Fabjel Toska (Xhindi), banues në lagjen “Çlirim” në Berat, u transportua me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi mori mjekimin e nevojshëm, u dërgua drejt Spitalit të Traumës, në gjendje të rëndë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.