Plagosje me thikë në kryeqytet. Policia njofton se vuri në pranga autorin e dyshuar, një 51-vjeçar. Ngjarja ndodhi në Rrugën e Dibrës në Tiranë, pas një konflikti për motive të dobëta. I lënduar mbeti një 48 vjeçar, i cili u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dje, pas marrjes së njoftimit se në Rrugën e Dibrës, një shtetas ishte plagosur me mjet prerës, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autori i dyshuar, shtetasi R.L., 51 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin M. X., 48 vjeç, e ka goditur atë, me thikë. Shtetasi M.X. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e dyshuar e përdorur për plagosjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.