Policia e Shtetit doli me informacionin zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës, ku u regjistruan të shtëna me armë zjarri në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali. Dy persona humbën jetën dhe dy u plagosën, mes tyre një kamariere.
Sipas njoftimit paraprak, rreth orës 08:50, shtetasi Rakip Gila dyshohet se ka qëlluar me armë automatike në drejtim të disa personave, duke shkaktuar një bilanc tragjik: dy të vrarë dhe dy të plagosur. Viktima e parë, Armando Pali, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërroi jetë në vendngjarje. Viktima e dytë, Liridon Kraja, 31 vjeç, i njohur edhe me mbiemrin Lushi, ndërroi jetë më vonë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, si pasojë e plagëve të rënda.
Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur Erogen Vaso, 43 vjeç, i njohur edhe me mbiemrin Bajroviç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe një 25-vjeçare me inicialet M.K., e cila ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas të shtënave, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash, efektivët kanë bërë të mundur arrestimin e Rakip Gilës dhe sekuestrimin e armës së krimit, një armë automatike.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali. “Dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë. Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L.K. (L.), 31 vjeç, tha policia.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike. Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.