Aktualitet Rajoni

Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, mijëra të rinj me flamujt kuq e zi mblidhen në Shkup!

Mijëra studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë sot para Urës së Gurit në Shkup duke kërkuar të drejtën kushtetuese të mbajtjes së provimit të drejtësisë në gjuhën shqipe. Me pankarta të shumta të duar, studentët kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ua ka kundërshtuar këtë kërkesë studentëve.

“Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, është slogani i protestës që si mesazh ka mbrojtjen e së drejtës së gjuhës për provimet profesionale.

Gjatë së dielës, ka pasur dhjetëra reagime në mbështetje të studentëve nga figurat publike si Ramush Haradinaj, Shkurte Fejza, ambasadori i Shqipërisë në Shkup e madje edhe PDK.

Kjo është protesta e dytë që organizojnë studentët shqiptarë dhe vjen si pasojë e refuzimit të kërkesës së tyre nga ana e ministrit të Drejtësisë.

Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dolën në zemër të Shkupit dhe kërkuan respektimin e të drejtave të tyre, çka nxiti kryeministrin Hristijan Mickoski të deklaronte nxitimthi se qeveria e tij po punonte për një zgjidhje dhe shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.

Çfarë thotë ligji për provimin e jurisprudencës?

Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Projekt propozimi që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u zu më në gojë nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, dhe prej asaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë ndërruar katër ministra të drejtësisë si Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga. Aktualisht ministër është Igor Filkov.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedonase, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Studentët që po protestojnë sot në Shkup thonë se beteja për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje politike.

“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, tha një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.

Arlinda Emini nga Kumanova, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin “Nënë Tereza”, kërkoi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tha se studentët nuk do të tërhiqen.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët. Partitë politike nuk kanë marrë pjesë në organizim. Është organizim studentor”, deklaroi ajo.

Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Lavdrim Hajrullahi, student i marketingut, i cili tha se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.

“Shpresojmë që të arrihet zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestat dhe nuk do të ndalemi. Kjo nuk është çështje partiake, është çështje gjaku dhe gjuhe. Duhen marrë masa që t’i kemi të drejtat tona”, u shpreh ai.

Ndërkohë në terren janë vërejtur edhe forca të shtuara policore, në zonën përreth Urës së Gurit,