Mijëra studentë shqiptarë janë mbledhur në Shkup ku po mbajnë protestën për gjuhën shqipe. Siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, tre studentë janë arrestuar nga policia maqedonase. Ndërkohë, studentët shqiptarë që janë nisur nga Tirana, pasi fillimisht janë bllokuar në kufi, kur janë lejuar të kalojnë janë detyruar të kthehen në Kumanovë.
“Herën e fundit u ankuan për flamurin shqiptar, ju lutem sot ta ngrini sa më lart flamurin shqiptar. Ne vijmë të protestojmë në mënyrë paqësore. Studentët shqiptarë nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, ndërkohë që protesta po mbahet në Shkup. Ne po dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës. Polici, edhe ju duhet të na mbroni. Së bashku shqiptarë, bijtë e shqiponjës, në një kauzë të pandarë, përjetësisht jemi krenarë”, u shpreh organizatori Mevlan Ademi.
Ndërkaq, ‘Ura e Gurit ‘u “vesh” kuqezi, ndërsa studentët valëvitnin flamuj shqiptarë dhe brohorisnin: “Gjuha shqipe nuk negociohet”.
Me pankarta të shumta në duar, protestuesit kërkuan jo vetëm dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ka kundërshtuar kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, por edhe të kryeministrit Hristjan Mickoski.
Mes turmës ra në sy edhe një djalosh i vogël me pankartën: “Mos ma përktheni të ardhmen!”, mesazh që u kthye në një nga momentet më prekëse të protestës.
Policia ishte e pranishme në terren gjatë gjithë protestës, ndërsa në marshim morën pjesë studentë dhe qytetarë shqiptarë nga shumë treva shqipfolëse, përfshirë Tetovën, Strugën dhe Kosovën.
Gjatë ditës pati edhe raportime se autobusë me studentë nga Kosova dhe Shqipëria janë devijuar nga autostrada pas kontrolleve policore. Organizatorët e panë këtë si një përpjekje për të penguar pjesëmarrjen në protestë dhe, siç u shprehën ata, “për të shuar zjarrin e studentëve”.