Njëri nga organizatorët e protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke thënë se disa shqiptarë janë ndaluar në një pikë kufitare dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Ademi paralajmëroi se nëse nuk ka reagim të shpejtë nga institucionet, organizatorët do të marshojnë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, ka shkruar Ademi.
Në reagimin e tij nuk është specifikuar se në cilën pikë kufitare dyshohet se janë ndaluar personat në fjalë. Deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nga autoritetet për pretendimet e publikuara nga Ademi apo për arsyet e ndalimit të mundshëm.
Protesta e sotme vjen pas demonstratës së 6 prillit, kur mijëra qytetarë dhe studentë protestuan në Shkup duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip.
Pak para protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami kanë takuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ku kanë diskutuar edhe për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurispodencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në njoftimin e qeverisë maqedonase, siç transmetojnë mediat e Maqedonisë së Veriut, thuhet se institucionet në Shkup po punojnë për të gjetur një zgjidhje lidhur me kërkesat e studentëve shqiptarë.
“U theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që sjellin përparim, besim të ndërsjellë dhe ecje të përbashkët drejt së ardhmes. Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dijet përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPress.