Bota

Qëllon 18 herë me kallashnikov në drejtim të ish-të dashurës dhe partnerit të saj të ri/ Shqiptari shkakton panik në Itali

Një 21-vjeçar shqiptar ka shkaktuar panik mëngjesin e sotëm në Galipoli të Leçes, pasi ka qëlluar 18 herë me automatik në drejtim të ish të dashurës dhe partnerit të saj të ri.

Sipas mediave italiane, autori me origjinë shqiptare është identifikuar si Ibrahim Rudi.

I riu shqiptar do të përballet me akuzat për “tentativë vrasje e shumëfishtë” dhe “mbajtje e paligjshme e armëve luftarake”.

Mësohet se Ibrahim Rudi kishte disa kohë që ishte ndarë nga e dashura italiane. Ka qenë pikërisht kjo e fundit që i ka dhënë fund lidhjes me shqiptarin. Një lidhje që sipas mediave italiane ishte i acaruar nga shpërthimet e vazhdueshme të xhelozisë së të riut.

Pasi ka qëlluar 18 herë me automatik, për fat të mirë pa lënduar askënd, Ibrahim Rudi është arratisur me ndihmën e një shoku të tij. Por arratia nuk i ka zgjatur shumë, pasi ra në duart e policisë italiane.

Shqiptari ndodhet tashmë në burgun e Leçes dhe do të mbrohet nga avokati Simone Viva, ndërsa pritet që ditët në vijim të dalë para gjykatës për vlerësim të masës së arrestit.

Ndërkaq, motra e ish- të dashurës së shqiptarit, e cila e pa me sytë e saj të gjithë skenën dhe rrezikoi jetën, tha se ajo kishte bërtitur me të madhe ‘është i armatosur’, me qëllim që të tjerët që ishin në atë zonë në ato momente të kishin mundësinë të largoheshin me vrap.