Lifestyle

Qentë dinë të manipulojnë për të marrë atë që duan?

Një studim i ri i realizuar në Zvicër ka sjellë një perspektivë interesante mbi sjelljen e qenve, duke treguar se ata nuk janë aq naivë sa shpesh besojmë.

Sipas hulumtimit, qentë dinë të manipulojnë njerëzit për të përfituar – duke i “gënjyer” kur është në interesin e tyre.

Studiuesit trajnuan 27 qen të moshave të ndryshme për të dalluar mes dy llojeve të vullnetareve: ato që u jepnin ëmbëlsira dhe ato që nuk jepnin shpërblime.

Pasi krijuan këtë dallim, qenve u kërkua të çonin secilën vullnetare te një nga tre kuti: njëra përmbante salçiçe (ushqimi i preferuar), tjetra biskota për qen dhe e treta ishte bosh.

Rezultatet ishin befasuese: qentë zgjidhnin të ndihmonin vetëm vullnetaret “bujare”. Ato që kishin qenë bujare me shpërblimet, qentë i çonin në mënyrë të drejtpërdrejtë te kutia me salsiçe.

Ndërsa ndaj atyre që nuk kishin ofruar asgjë, qentë nuk ishin të gatshëm të ndanin “sekretin” – duke i çuar në kutitë më pak tërheqëse ose të zbrazëta.

Vullnetaren që u kishte dhënë shpërblime, qentë e çuan te kutia me salçiçe, ndërsa tjetrën e anashkaluan

Ky studim tregon se qentë jo vetëm që kuptojnë mirë sjelljen njerëzore, por edhe dinë ta përdorin atë në favorin e tyre – duke dëshmuar se dinakëria nuk është ekskluzivitet i maceve.