E ftuar në emisionin “Magjia e Festave” me Dea Vierin, ka qenë Zhaklin Lekatari. Ajo ka folur më shumë për rastet e dhunës në familje që shtohen gjatë periudhës së festave. Cilat janë arsyet dhe si i feston sot Zhaklina Krishtlindjen dhe Vitin e Ri?
Cilat janë arsyet e rritjes së rasteve të dhunës familjare gjatë festave të fundvitit?
Është e vërtetë që statistikat tregojnë për një rritje të rasteve të dhunës gjatë festave. E para është stresi financiar që festat të sjellin, që tavolina duhet të jetë plot. Arsyeja tjetër është fakti që gjatë festave qëndrojmë më gjatë në shtëpi dhe nuk janë alert as instancat e duhura dhe jemi të izoluar me dhunuesin tonë. Një arsye tjetër është abuzimi me substancat narkotike dhe alkoolin, duke bërë që të humbin kthjellësinë mendore, duke abuzuar me veten dhe të tjerët. Kjo paraqitja e ‘familjes perfekte’ ndikon gjatë gjithë vitit, jo vetëm gjatë festave, dukja se si na perceptojnë të tjerët. Kjo krijon një lloj presioni dhe ndikon në rritjen e dhunës në familje. Ka dhe një periudhë post-festash, që flet për depresionin pas festave, që është në janar, me vështitësinë financiare, detyrimi për të qëndruar fizikisht me të tjerët, pamundësia monetare…
Si ndikon kjo dhunë fizike apo psikologjike tek fëmijët në familje?
Ka shumë deklarata dhe nga personazhe të njohur në botë, si Miley Cyrus për shembull, që nuk i preferojnë dhe kanë ankth gjatë festave, për mënyrën si i kanë kaluar festat në fëmijëri.
Si i kujton festat në familjen tënde kur ishe fëmijë?
Kujtimet i kam të bukura. Babai angazhohej për festat, blente materialet që në dhjetor dhe kërkonte nga unë e motra ime të zbukuronim shtëpinë, bredhi ishtë i vërtetë dhe bora bëhej me pambuk. Edhe në shkollë bënim punëdore.
Po në shtëpi sot i ke bërë zbukurimet?
Kam vendosur një bredh. Kam vënë një zile tek dritarja dhe bredhin e kam të izoluar për shkak të maces (qesh). Drita nuk ka, ka vetëm tek pjesa lart që mos t’i kapë macja, por atmosferën e bën.