Aktualitet

Rëndohet bilanci i viktimave nga aksidenti në Levan-Vlorë!

Aksidenti i djeshëm në Levan-Vlorë, shkon në 2 numri i viktimave. Rreth orës 01:00 të mëngjesit, në spital ndërroi jetë dhe shtetasi Artan Muho, pasagjeri i kamionçinës së drejtuar nga Alfred Hasani, 62 vjeçari, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Pasi u godit nga makina me drejtuese një shtetase italiane 28 vjeçe, mjeti i viktimave u përplas me barrierat mbrojtëse. Shoferja u shoqërua në polici.

Pas aksidentit, në afërsi të fshatit Panaja, shkuan edhe forcat zjarrfikëse që punuan për nxjerrjen e trupit të pajetë të drejtuesit nga automjeti, pasi kabina e kamionçinës u dëmtua rëndë dhe nuk mund të nxirrej lehtësisht.

Dje u njoftua se nga verifikimet në terren të kryera nga Policia Rrugore, “dyshohet se automjeti tip Dacia me targa AA 408 XY, në të cilin udhëtonin dy shtetas të huaj, ishte shkaktari i aksidentit. Drejtuesja e automjetit, një shtetase e huaj dhe femër, dyshohet se ka goditur nga pas një kamionçinë, duke shkaktuar spostimin e këtij të fundit, i cili është përplasur me barrierën ndarëse të autostradës”.

Policia shoqëroi drejtuesen e automjetit Dacia dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke prerë pjesën metalike të deformuar të automjetit dhe kanë nxjerrë trupin e pajetë të drejtuesit të kamionçinës.