Romeo Beckham ka konfirmuar ribashkimin me ish-të dashurën e tij, Kim Turnbull, vetëm gjashtë muaj pas ndarjes së tyre që u shoqërua me tensione brenda familjes Beckham.
Lajmi u bë publik pasi 22-vjeçari postoi një foto me Kim në Instagram Stories më 21 tetor, duke i dhënë fund thashethemeve që kishin qarkulluar prej javësh.
Dyshja, që u nda në prill 2025, u përfol se ishin ndarë pas një përplasjeje mes Romeos dhe vëllait të tij më të madh, Brooklyn Beckham.
Raportohet se Nicola Peltz dhe Brooklyn fajësuan Kim për disa prej tensioneve familjare, çka e bëri marrëdhënien më të vështirë për çiftin.
Spekulimet për një ribashkim nisën kur Romeo ‘pëlqeu’ një nga postimet e fundit të Kim në rrjetet sociale, duke rikthyer menjëherë interesin e fansave për historinë e tyre të dashurisë.
Burime pranë familjes kanë treguar për “Daily Mail” se David dhe Victoria Beckham e kanë pranuar vendimin e Romeos për të ruajtur distancë nga drama familjare dhe për t’u përqendruar te marrëdhënia e tij me Kim.
Romeo dhe Kim u lidhën për herë të parë në tetor 2024 dhe e bënë lidhjen publike një muaj më pas. Ndarja e tyre erdhi pas shtatë muajsh romancë, por pa konflikte të hapura.
Më herët këtë muaj, çifti u pa bashkë në “Çmimin e Madh të Singaporit”, ndërsa Romeo vazhdoi të pëlqente fotot e Kim në bikini dhe postimet e saj nga udhëtimet tropikale – një sinjal i qartë se dashuria mes tyre nuk kishte mbaruar.
Sipas burimeve, ndarja e tyre e parë nuk kishte të bënte me ndërhyrje familjare, por me agjendat e ngjeshura të të dyve.
Kim, e njohur për karrierën e saj si DJ dhe modele, dhe Romeo, që po ndërton rrugëtimin e tij si futbollist dhe model, po e gjejnë tani mënyrën për ta balancuar jetën personale me karrierën.
Ribashkimi i tyre ka ngjallur reagime të shumta në rrjete, me fansat që urojnë që këtë herë historia e dashurisë Beckham–Turnbull të zgjasë më shumë.