Në një moment të vështirë të vitit të 7-të të qeverisjes, kur popullariteti i konservatorëve vazhdon të bjerë kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve e banesave, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shpalli një paketë masash me vlerë 1.6 miliardë euro që i quajti “reformat më të guximshme të viteve të fundit”, të cilat prekin mbi 4 milion grekë.
Greqia ka kaluar nga kriza në stabilitet, duke ulur papunësinë, rritur investimet e turizmin, si dhe duke rikthyer besimin ndërkombëtar. Prioritet mbetet mbështetja e të ardhurave të qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës, por pa kompromentuar stabilitetin fiskal.
Ndër masat kryesore janë ulja e normave tatimore me 2 pikë për të gjithë e ulje shtesë për familjet me fëmijë, si dhe tatim zero për të rinjtë deri në 25 vjeç me të ardhura deri në 20 mijë euro. Deri në moshën 30 vjeç, tatimi ulet nga 22% në vetëm 9. Për të gjitha këto kategori, përfitimi do të jetë nga 400 deri në 4100 euro në vit.
Në një prej aspekteve të luftës ndaj rritjes së çmimeve të banesave, Mitsotakis vuri në dukje se qeveria greke planifikon ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në ish-repartet ushtarake për qytetarët pa banesë, si dhe normë më të ulët 25% për qiratë nga 12.000-24000 mijë euro.
Në fshatrat me më pak se 1.500 banorë, taksa mbi banesën e parë, ENFIA do të përgjysmohet në vitin 2026 dhe do të hiqet plotësisht një vit më pas, ndërsa në ishujt e vegjël kufitarë do të ketë ulje të TVSH-së me 30%.
Një tjetër masë është rritja e pagave për mbi 151 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura, policisë, zjarrfikësve, rojes bregdetare si dhe diplomatëve. Për pensionistët, diferenca personale do të përgjysmohet në vitin 2026 e do të hiqet plotësisht më 2027-ën, duke sjellë përfitime për qindra mijëra qytetarë.
Mitsotakis theksoi se Greqia nuk do të bëjë kurrë kompromis me sigurinë kombëtare dhe rolin e saj në Europë, ndërsa paralajmëroi katër reforma afatgjata deri në vitin 2030:
Diplomë të re kombëtare për arsimin, një sistem shëndetësor publik të përmirësuar, modernizimin e urbanistikës e kadastrës, si dhe një hartë të re energjetike kombëtare.
Unë nuk jap premtime boshe dhe as para’ që nuk ekzistojnë. Jap vetëm plane konkrete për zhvillim, me synimin që në vitin 2027, vendi të hapë një kapitull të ri, edhe më të suksesshëm.
Ndërkohë, pasditen e djeshme u zhvilluan mitingje proteste antiqeveritare në Selanik nga sindikatat greke ndërsa në qytetet e tjera e në Athinë pati protesta për tragjedinë e trenave dy vjet më parë, ku humbën jetën 57 persona.