Lifestyle

Sa kohë mund të qëndrojë një foshnjë në ulësen e makinës? Këshilla të rëndësishme për udhëtime të sigurta gjatë verës!

Me ardhjen e verës, udhëtimet me familjen bëhen më të shpeshta, por nëse jeni prindër të një foshnjeje, planifikimi i rrugës kërkon më shumë kujdes. Pyetja që shqetëson shumë prindër, veçanërisht ata që udhëtojnë për herë të parë me fëmijë, është: Sa kohë mund të qëndrojë një foshnjë në ulësen e makinës?

Sipas ekspertëve dhe studimeve të shumta, foshnjat deri në moshën 6 muajsh nuk duhet të qëndrojnë në ulësen e makinës më shumë se dy orë brenda një periudhe 24-orëshe.

Pse është ky kufizim kaq i rëndësishëm?

Foshnjat në muajt e parë të jetës nuk janë ende në gjendje të mbajnë trupin në një pozicion të drejtë, dhe pozicioni gjysmë i drejtë i ulëses së makinës nuk është natyral për trupin e tyre të brishtë.

Gjatë testimeve, është vërejtur se në një ulëse me kënd 40 gradë, foshnjave u rriten rrahjet e zemrës dhe ritmi i frymëmarrjes, ndërsa saturimi me oksigjen bie.

Përveç kësaj, dridhjet dhe lëvizjet e makinës mund të ndikojnë negativisht tek sistemi nervor dhe frymëmarrja e foshnjës.

Çfarë duhet të dini para se të niseni për udhëtim me foshnjën?

-Bëni ndalesa të shpeshta gjatë udhëtimit. Nxirreni foshnjën nga ulësja dhe lejojeni të qëndrojë pak minuta në pozicion tjetër.

Mos e përdorni ulësen si krevat. Foshnja mund të flejë gjatë udhëtimit, por nuk duhet të lihet për orë të tëra në të njëjtin pozicion.

-Nëse përdorni karrocë, sigurohuni që ajo të jetë e shtrirë, jo në pozicion gjysmë të drejtë, i cili ngjason me atë të ulëses së makinës.

-Mos e tejkaloni kohën e qëndrimit në ulëse edhe kur ndodheni jashtë makinës — për shembull, nëse planifikoni një shëtitje, është më mirë ta transferoni foshnjën në një vend të përshtatshëm për qëndrime më të gjata.