Bota

SHBA-të dërgojnë trupa shtesë në kufirin me Meksikën!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin rreth 3 mijë trupa shtesë në kufirin me Meksikën, duke e çuar numrin e përgjithshëm në afro 9 mijë, siç edhe bëri të ditur Komanda Veriore e Shteteve të Bashkuara (NORTHCOM). Siguria kufitare është një përparësi kryesore për presidentin amerikan, Donald Trump, i cili shpalli një “emergjencë kombëtare” në kufirin amerikan me Meksikën, në ditën e tij të parë në detyrë.

Rreth 2 mijë e 400 ushtarë nga Divizioni i 4-rt i Këmbësorisë dhe afro 500 nga Brigada e 3-të e Aviacionit Luftarak do të dërgohen në kufi, thuhet në deklaratën e publikuar nga NOTHCOM.

Mes detyrave të tjera të ushtrisë përfshihen edhe operacionet e zbulimit e të vëzhgimit, referuar kësaj deklarate. “Ushtarët nuk do të përfshihen në operacionet e ndalimit ose të dëbimit”, informuan zyrtarët.

Administrata e presidentit Trump thotë se ka ndërmarrë një përpjekje madhore për të luftuar emigracionin e paligjshëm, ku përfshihen kontrollet, arrestimet, si dhe dëbimet e emigrantëve të paligjshëm. Në dispozicion të kësaj përpjekjeje, qeveria amerikane ka vënë edhe bazën detare në Gjirin e Guantanamos në Kubë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dyfishuar numrin e të burgosurve, që konsiderohen si “të rrezikshmërisë së lartë”, në bazën e tyre detare të Gjirit të Guantanamos në Kubë. Për këta emigrantë ka një plan që të mund të dëbohen për në vendet e tyre.

Presidenti Trump u zgjodh sërish në Shtëpinë e Bardhë pasi u zotua se do të intensifikojë sigurinë kufitare dhe se do të dëbojë një numër rekord emigrantësh jo të ligjshëm. Ai kritikoi ish-presidentin amerikan, Joe Biden në lidhje me nivelet e larta të emigracionit të jashtëligjshëm gjatë administratës së tij.