Eksperti Zef Preçi thotë se shitblerjet e bankave në tregun vendas, imponojnë forcimin e mbikëqyrjes së sistemit financiar. Ndërkaq ai tha se: “Themelore mbetet forcimi i mbikëqyrjes nga ana e Bankës së Shqipërisë. Po kështu, bashkëpunimi i saj me qeverinë, në mënyrë që biznesi të ketë më shumë besim”, shprehet Zef Preçi. Tre vitet e fundit, Shqipëria është përfshirë nga një valë shitblerjesh të bankave, që iu përkasin grupeve të mirënjohura nga shtetet e Bashkimit Europian. “Banka të mëdha të huaja, me origjinë vendet e BE, po ulin ekspozimin në rajonin tonë, çka do të thotë se po i shesin degët e tyre dhe po tkurren në vendet e origjinës. Në pikëpamjet e tregut të brendshëm edhe pse ka munguar dhe mungon konkurrenca. Kjo situatë pasqyron edhe një lloj fuqizimi të kapitalit vendas”, thotë eksperti. Por, fenomeni i largimit nuk po ndodh vetëm në vendin tonë. “Ekonomia jonë ka përfituar nga bankat europiane në aspektin e standardeve dhe praktikave të mira për biznesit. Nuk mendoj se do jetë e njëjta gjë me bizneset shqiptare”, thotë Preçi. Kriza financiare e 2008-ës diktoi ndryshimin e strategjisë për disa nga grupet bankare të BE-së, të cilat po shesin degët e tyre në vendet në zhvillim si Shqipëria, duke u përqëndruar vetëm në tregjet e mëdha europiane.