Aktualitet

Shkodër, nivelet e ujit në rënie/Në Obot, rruga e kalueshme nga mjete të ushtrisë!

Në qarkun e Shkodrës, që u prek rëndë nga përmbytjet, situata duket se po shkon drejt normalizimit. Këtë të enjte, ka një reduktim të ndjeshëm të sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji, nga rreth 760 hektarë një ditë më parë në 590 sot.

Sipas matjeve të realizuara, nivelet e ujit janë në rënie: Buna – Ura e Pazarit: 8.40 m; Drini – Bahçallëk: 7.80 m; Buna – Dajç: 6.38 m

Edhe në Obot, ku prej ditësh në fshat mund të shkohej vetëm me varkë, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 20 cm, sikurse në Njësinë Administrative Dajç. Po ashtu, vihet re zbritje e nivelit edhe në liqen, duke ndikuar pozitivisht në normalizimin e situatës.

Në rrugën drejt fshatit Obot, qarkullimi sot realizohet me mjete të ushtrisë, duke garantuar lëvizjen dhe aksesin për banorët dhe shërbimet.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):

Bërdicë: 10 ha

Velipojë: 90 ha

Dajç: 70 ha

Ana e Malit: 420 ha

Totali: 590 ha