Aktualitet

Shpërthim me tritol në servisin e makinave në Luz të Fushë Krujës!

Shpërthim me lëndë plasëse në fshatin Luz të Fushë-Krujës. Në shënjestër ishte një servis makinash, në pronësi të shtetasit Alfred Gurra dhe u shkaktuan dëme materiale.  Grupi hetimor në vendngjarje vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave.

Rasti u denoncua nga Gurra, i cili konstatoi se qepeni i biznesit të tij ishte dëmtuar. Ai ka pohuar për mediat se nuk ka konflikte dhe se ka mbetur i habitur nga shpërthimi. Pronari i servisit konfirmoi se përreth ka kamera sigurie, por pa mundur të fiksojnë dikë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 28.09.2025, shtetasi A. G, banues në fshatin Luz, Fushë-Krujë, ka njoftuar se ka konstatuar të dëmtuar qepenin e servisit për automjete.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se është dëmtuar me lëndë plasëse. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.