E ftuar në emisionin “Pardon My French” sot ka qenë Miss Universe Albania, Françeska Rustem. Ajo ka zbuluar ekskluzivisht për Top Albania Radio detaje në lidhje me të gjithë eksperiencën e saj në Miss Universe në Meksikë ku ajo përfaqësoi vendin tonë.
E kishte menduar Françeska se do të kishte një eksperiencë kaq të vështirë dhe me sfida?
Patjetër. Mendoj që më ka ndihmuar pak edhe puna që unë bëj sepse jam e disiplinuar me orarin dhe me idenë që duhet të dukesh mirë dhe e rregullt. Mendoj që e kam pasur pak më të lehtë por gjithësesi vetëm pjesa e orarit të gjumit, asgjë tjetër. Nuk është e lehtë dhe i uroj fat vajzës që do të jetë pas meje.
Në raport me të gjithë impenjimin dhe përkushtimit në fund u duk se kishte një lloj keqardhje?
Keqardhje për vendin tim patjetër shumë sepse e di që meritojmë shumë. Vërtetë kam dhënë të gjithë shpirtin tim, mundin, djersën time në këtë garë dhe më vinte shumë keq që për çfarëdolloj gjëje që ndodhte e keqe apo e mirë ishte “Albania, ku është Albania?”. Çfarëdolloj gjëje që ndodhte adresoheshe Shqipëria, nuk e di pse e kanë atë mendimin për ne dhe më vinte shumë keq madje edhe në mini intervistat që ata bënin ku donin të shikonin edhe inteligjencën etj thonin çfarë do sjellësh ndryshe për ne këtë vit. Kur unë u përgjigja: Vlerat e vendit tim patjetër të gruas shqiptare. Okej shpresoj që të mos jesh problem për ne këtë vit.