Para një bote të trazuar, Trump ka bërë të ditur se tarifat “reciproke” janë një përgjigje ndaj detyrimeve dhe barrierave të tjera jotarifore të vendosura ndaj mallrave amerikane. Ai argumentoi se taksat e reja do të rrisin vendet e punës në prodhim në ‘shtëpi’. Ekonomistët e jashtëm kanë paralajmëruar se tarifat mund të ngadalësojnë ekonominë globale, të rrisin rrezikun e recesionit e të rrisin kostot e jetesës për familjen mesatare amerikane me mijëra dollarë.
Kanadaja dhe Meksika, dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-ve, tashmë përballen me tarifa 25% për shumë mallra dhe nuk do të përballen me taksa shtesë nga njoftimi i djeshëm. Tarifat reciproke nuk zbatohen për mallra të caktuara, duke përfshirë bakrin, produktet farmaceutike, gjysmëpërçuesit, lëndën drusore, arin, energjinë dhe “mineralet e caktuara që nuk janë të disponueshme në Shtetet e Bashkuara”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Trump nënshkroi edhe një urdhër për të mbyllur një boshllëk tregtar, që përdoret për dërgimin e paketave me vlerë të ulët, ato me vlerë 800 dollarë ose më pak pa doganë nga Kina, të njohura si “de minimis”. Urdhri mbulon mallrat nga Kina dhe Hong Kongu dhe do të hyjë në fuqi më 2 maj, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila tha se masa kishte për qëllim të frenonte rrjedhën e fentanilit në SHBA.
Trump po planifikon gjithashtu tarifa të tjera që synojnë gjysmëpërçuesit, farmaceutikët dhe mineralet potencialisht kritike. Më herët gjatë ditës, administrata tha se një grup i veçantë tarifash për importet e automjeteve, që Trump njoftoi javën e kaluar do të hyjë në fuqi duke filluar nga e sotmja.
Trump më parë vendosi taksa 25% për çelikun dhe aluminin dhe i zgjeroi ato në produkte me vlerë gati 150 miliardë dollarë. Shqetësimet për tarifat kanë ngadalësuar tashmë aktivitetin e prodhimit në të gjithë globin, duke nxitur gjithashtu shitjet e makinave dhe produkteve të tjera të importuara, pasi konsumatorët nxitojnë të bëjnë blerje përpara se çmimet të rriten.
Tani kur realiteti i tarifave të reja po pranohet, kompanitë në mbarë botën duhet të peshojnë se si të përshtaten, me opsione të kufizuara dhe të pakëndshme për klientët e tyre.
Eshtë një vështirësi e madhe për Europën. Mendoj se është gjithashtu një katastrofë për Shtetet e Bashkuara dhe për qytetarët e SHBA, tha kryeministri francez François Bayrou.