Shtohen 25 raste të reja me koronavirus në vend, shkon në 33 numri i viktimave. Një 69-vjeçar nga Tirana ndërroi jetë te Infektivi. Harta e të prekurve zgjerohet me 24 raste në Tiranë e një në Durrës. Në kryeqytet u evidentua vatër e re, një call center. 15 të infektuar në një Call Center në Tiranë janë kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. 173 qytetarë u testuan orët e fundit. Numri i rasteve pozitivë me koronavirus shkon në 1 mijë e 29, rreth 78% të shëruar, 8 në 24 orë. Në vendin tonë janë 193 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës, Krujë e Shkodër. Ndërsa sot janë 19 raste më shumë se dje, rritje ka dhe numri i pacientëve të Infektivi, 2 më shumë. Po trajtohen 17, 3 në terapi intensive. Nga fillimi i epidemisë, në vend janë kryer mbi 14 mijë e 500 testime molekulare dhe serologjike. Ministria e Shëndetësisë fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake.