Gjykata e Posaçme nuk mundi as sot që të nisë shqyrtimin paraprak të çështjes ndaj kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe të tjerëve.
Seanca u shty për më 12 nëntor. Shkak u bë kërkesa e avokatit, Artan Gjermeni, për t’iu dhënë kohë të njihet me aktet e dosjes.
Gjermeni do të jetë pjesë e ekipit të avokatëve që do të mbrojë interesat e Veliajt, i akuzuar se është përfshirë në 9 raste korrupsioni, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Edhe bashkëshortja, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare e organizata jofitimprurëse. Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie e fshehje të të ardhurave.
Krahas tyre, të pandehur janë edhe 28 persona e shoqëri, përfshirë ish-deputeten socialiste, Klotilda Bushka, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Veliaj po zhvillon edhe një betejë ligjore me qeverinë pasi u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave, me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt.
Por, pak ditë më pas, Veliaj depozitoi ankimin në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë e cila pezullon shkarkimin e tij dhe bllokoi zgjedhjet e parakohshme në Tiranë deri kur të shprehet gjykata më e lartë në vend.
Pak ditë më parë, Apeli i GJKKO-së i rrëzoi kërkesën për të shpallur si të pavlefshme hetimet paraprake të kryera nga SPAK-u.