Aktualitet

Dosja “Veliaj”, shtyhet seanca paraprake në GJKKO!

Në Gjykatën e Posaçme, GJKKO, sërish u shty seanca paraprake për Erion Veliajn, ku pritej të vendosej për kalimin ose jo për gjykim të dosjes. Shkak u bë bojkoti i seancave gjyqësore nga avokatët pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami se kërcënoi prokurorin Gjergji Ceka gjatë një seance në gjykatën e Elbasanit.

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës nuk u paraqitën për shkak të bojkotit, ndërsa në gjykatë shkoi biznesmeni Elman Abule, i marrë i pandehur me akuzën e pastrimit të parave. Avokati Bajrami u lirua ditën e djeshme por bojkoti i kolegëve duket se do të vijojë deri të premten siç është parashikuar. Edhe seanca e kaluar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Për dosjen Veliaj, përveç kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës e bashkëshortes Ajola Xoxa, të pandehur janë edhe 28 persona e shoqëri.

Sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, Veliaj akuzohet si i përfshirë në 9 raste korrupsioni, pastrim parash e mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Edhe Xoxa përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare e organizata jofitimprurëse. Akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Një betejë ligjore, Veliaj e ka me qeverinë, pasi më 25 shtator u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë Tiranë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt.

Pak ditë më pas, Veliaj depozitoi ankimim në Kushtetuese, kërkesë që pezullon shkarkimin e tij dhe bllokon zgjedhjet e parakohshme në Tiranë deri kur të shprehet gjykata më e lartë në vend.

Një ditë më parë, Apeli i Posaçëm i rrëzoi kërkesën për të shpallur si të pavlefshme hetimet paraprake të kryera nga SPAK-u.