Të dhëna të reja nga Indeed tregojnë një ndarje të fortë mes brezave në mënyrën si amerikanët e vlerësojnë arsimin e lartë. Ndërsa vetëm 20% e Baby Boomers shprehen se pendohen për shpenzimet për universitetin, një shifër shumë më e lartë-51% e të diplomuarve të Gjeneratës Z-mendojnë se diploma nuk ia ka vlejtur barrën financiare. Ky skepticizëm në rritje po ushqehet nga një trend i ri në tregun e punës, i fokusuar te aftësitë konkrete (“skills-first”), ku 52% e shpalljeve të punës në Indeed nuk kërkojnë më domosdoshmërisht arsim formal.
Ndërkohë që tarifat e studimit vazhdojnë të rriten, shumë të rinj përballen me punësim nën nivelin e tyre dhe me borxhe, të cilat 38% prej tyre thonë se kanë kufizuar drejtpërdrejt zhvillimin e karrierës. Ky zhgënjim po çon në një ndryshim të madh drejt rrugëve alternative të karrierës: 83% e të rinjve tani i shohin profesionet praktike si një zgjedhje më të sigurt financiarisht sesa një diplomë tradicionale 4-vjeçare.
Edhe pse ky orientim i kompanive drejt aftësive specifike është ende në zhvillim, mesazhi nga brezi më i ri i fuqisë punëtore është i qartë: kthimi i investimit për një diplomë bachelor nuk është më i garantuar. Për një brez të formuar nga pragmatizmi ekonomik, fokusi po zhvendoset shpejt nga mbledhja e diplomave drejt zotërimit të aftësive teknike që kërkohen më shumë në treg.
Ndërkaq, një sondazh i zhvilluar nga EduBirdie me 2,000 të anketuar në shkurt 2026 tregon një prirje të qartë te Gen Z. Shumica e të rinjve të lindur mes viteve 1997–2012 preferojnë një gjumë të mirë gjatë natës, sesa të kalojnë kohë intime me partnerin. Sipas rezultateve, 67% e të anketuarve thanë se do të zgjidhnin pushimin dhe rikuperimin fizik përpara aktivitetit seksual.
Në plan më të gjerë, prioritetet kryesore të kësaj gjenerate rezultojnë të jenë punë e qëndrueshme – 64%, arritje personale – 59, miqësitë – 50% dhe koha vetëm – 46%. Megjithatë, 37% e të anketuarve deklaruan se janë ende seksualisht aktivë, çka sugjeron se zgjedhja e gjumit mbi seksin nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesë interesi, por me rivendosje prioritetesh. Të dhënat pasqyrojnë një ndryshim kulturor ku mirëqenia, stabiliteti financiar dhe balanca personale duket se zënë vend më të lartë në hierarkinë e nevojave krahasuar me brezat e mëparshëm.