Bota

Situata në Gaza, sot atje shkon i dërguari amerikan Witkoff!

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Steve Witkoff, sot do të vizitojë Rripin e Gazës, për të inspektuar qendrat për shpërndarjen e ndihmës. Njoftimin e dha Shtëpia e Bardhë.

Witkoff dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee do të përpiqen “të sigurojnë një plan për dërgimin e më shumë ushqimeve e do të takohen me banorë vendas të Gazës për të dëgjuar nga ta për këtë situatë të rëndë në terren”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Më herët dje, Witkoff u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Mediat në Izrael raportuan se biseda e tyre u përqendrua në situatën humanitare në Rripin e Gazës, pengjet që po mbahen nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian, si dhe te çështja e Iranit.

Vizita e Witkoff-it në Izrael u zhvillua në kohën kur janë intensifikuar kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit, pas raportimeve për uri të thellë në Gaza dhe në kohën kur janë bllokuar bisedimet në Doha për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

Portali Ynet bëri të ditur se gjatë vizitës në Gaza, Witkoff do të shikojë punën që bën Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF). GHF-ja mbështetet nga Izraeli e nga SHBA-të dhe puna e këtij fondacioni është përballur me kritika nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara e organizata të tjera.

Në fillimjavë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se në Gaza ka “uri të vërtetë”. Një ditë më vonë, Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC), autoriteti kryesor ndërkombëtar për kriza ushqimore, paralajmëroi se “skenari më i keq i urisë është duke ndodhur në Gaza”.

Në mes të rritjes së kritikave ndërkombëtare dhe raportimeve për vdekje të lidhura me urinë, që nga fundjava, Izraeli po zbaton çdo ditë një pauzë 10-orëshe të luftimeve në disa zona të Gazës, për të lejuar që ndihma të shkojë te më shumë njerëz.

Lufta në Gaza nisi më 7 tetor të vitit 2023, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbyer afro 250 të tjerë. Besohet se 50 vetë ende mbahen në Gaza ndërsa të tjerët janë liruar në marrëveshjet paraprake të armëpushimit.

Si pasojë e ofensivës izraelite, që nga nisja e luftës, në Gazë janë vrarë më shumë se 60 mijë njerëz persona, siç bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Ky dikaster vlerëson se shumica nga viktimat ishin gra dhe fëmijë. Megjithatë, në shifrat që publikon për viktimat, ministria nuk bën ndarjen mes atyre civile dhe luftëtarëve të Hamasit.