Lifestyle

Studimi alarmon, “night owls” rrezikojnë më shumë shëndetin e zemrës?

Personat që shkojnë rregullisht vonë për të fjetur, të njohur si “night owls”, mund të përballen me rrezik më të lartë për probleme serioze kardiovaskulare, sipas një studimi të ri të publikuar më 28 janar në Journal of the American Heart Association.

Hulumtimi, i cili analizoi të dhënat e mbi 300 mijë të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë rreth 14-vjeçare, zbuloi se individët me ritëm të vonshëm të gjumit kishin 16% më shumë rrezik për sulm në zemër dhe goditje në tru, krahasuar me ata që ndjekin një orar mesatar gjumi.

Sipas studiuesve, ky efekt ishte më i theksuar tek gratë. Në të kundërt, personat që zgjohen herët, të quajtur “larks”, shfaqën tregues më të mirë të shëndetit të zemrës.

Ekspertët theksojnë se rreziku nuk vjen vetëm nga ora e vonë e gjumit, por lidhet ngushtë me faktorë të modifikueshëm të stilit të jetesës.

Mes tyre përfshihen duhanpirja, cilësia e dobët e gjumit, mungesa e aktivitetit fizik, dieta jo e shëndetshme, pesha trupore, si dhe nivelet e sheqerit dhe kolesterolit në gjak.

Në fakt, përdorimi i duhanit rezultoi përgjegjës për më shumë se një të tretën e rrezikut kardiovaskular të lidhur me “night owls”.

Mesazhi kryesor është të fokusohemi tek faktorët e shëndetit të zemrës që mund t’i ndryshojmë

-u shpreh Dr. Sina Kianersi, bashkautore e studimit.

Ajo theksoi se personat me ritëm të vonshëm duhet të synojnë gjumë të mjaftueshëm, ushtrime të rregullta fizike, ushqyerje të balancuar dhe shmangie të duhanit.

Studimi u jep gjithashtu këshilla punëtorëve që punojnë në turne nate, duke sugjeruar kompensimin e mungesës së gjumit dhe ruajtjen e zakoneve të shëndetshme në ushqim dhe aktivitet fizik.

Sipas ekspertëve, edhe nëse ora biologjike nuk mund të ndryshohet lehtë, përmirësimet në stilin e jetesës mund të kenë ndikim të madh pozitiv në shëndetin e zemrës.