Bota

Sulm rus me dron, Zelensky: U dëmtua mburoja e centralit bërthamor të Çernobilit!

Një sulm rus me dron i kryer gjatë natës ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj mburojës së rrezatimit të centralit bërthamor të Çernobilit, siç njoftoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Çernobili ishte vendi i katastrofës më të madhe bërthamore në botë, kur njëri nga katër reaktorët e tij shpërtheu në vitin 1986. Ky reaktor është i mbështjellë nga një strehë mbrojtëse, e njohur si sarkofag, për mbrojtje nga rrezatimi i mbetur.

Droni rus goditi mburojën e njësisë së shkatërruar në këtë central bërthamor, duke shkaktuar zjarrin që u shua, tha Zelensky. Tani për tani, niveli i rrezatimit nuk është rritur e po vëzhgohet vazhdimisht. Vlerësimet fillestare tregojnë për dëme të mëdha. Vendi i vetëm në botë që e sulmon një zonë të tillë, uzurpon centralet bërthamore dhe kryen luftë pa keqardhje për pasojat, është Rusia e sotme.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) tha se personeli i saj në vendngjarje reagoi brenda disa minutash pas sulmit, duke shtuar se nuk ka viktima. Stafi i saj u njoftua se një dron kishte goditur çatinë e mburojës.

Nivelet e rrezatimit brenda dhe jashtë mbeten normale e të qëndrueshme.

Sulmi ndodhi dy ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se do të takohej me të Rusisë, Vladimir Putin, për të biseduar mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Por, Zelensky tha në Telegram se sulmi në Çernobil tregoi se “Putini, natyrisht, nuk po përgatitet për negociata”.

Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për atë që po bën.

Ukraina synon t’u japë të dhëna zyrtarëve amerikanë për sulmin në Çernobil gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila filloi sot, shkroi kreu i Presidencës ukrainase, Andrii Yermak, në kanalin e tij në Telegram.