Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi se vendi është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe se ka gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
Deklarata e tij u bë pas lëvizjeve të shumta të kreut të Republika Srpska për shkëputjen “e sigurt” nga pjesa tjetër e vendit, tërheqjen e anëtarëve të komunitetit serb nga forcat e armatosura të Bosnje-Hercegovinës etj.
Në një raport për Kombet e Bashkuara, sipas “The Guardian”, Schmidt tha se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.
Detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnje aktualisht i ka një forcë e Bashkimit Europian, e njohur si EUFOR, që ka rreth 700 trupa.
NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë. Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt tha se Bosnja po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës.
“Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë (Marrëveshjen e Dejtonit), ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnje do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale”, citohet nga “The Guardian” përfaqësuesi ndërkombëtar Schmidt.
Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Srpska, entitet i banuar me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Përfaqësuesit e Republikës Srpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidt, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje. Republika Srpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën. Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje në vitet 1990.
Duke reaguar ndaj raportimeve të Përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se “të gjithë të tjerët kanë shkelur Marrëveshjen e Dejtonit, jo Republika Srpska, por unë dua ta lexoj raportin me kujdes”, ka thënë Vuçiç për mediat serbe nga Glasgou, ku po mbahet Samiti i Kombeve të Bashkuara për Klimën.
Ai u shpreh se nuk është takuar me kryetarin e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhellko Komshiç.
Vuçiç ka thënë se synon që në Kuvendin e partisë së tij ta promovojë termin e ri “ambicie kombëtare”, qëllimi i të cilit është që Serbia të jetë më e zhvilluara ekonomikisht në rajon, të ketë paqe dhe të ndërtojë marrëdhënie më të afërta me fqinjët.
Ai po ashtu ka thënë se nuk ka ligj dhe drejtësi ndërkombëtare për serbët. Sipas tij, Serbia duhet ta kuptojë situatën në botë dhe se nuk ishte ajo që e hapi kutinë e Pandorës, duke e pranuar shtetësinë e Kosovës, por të tjerët, duke aluduar se është një formulë e ngjashme që duhet të zbatohet edhe për Republika Srpska në Bosnje-Hercegovinë.
Escobar, të dielën në Sarajevë për trazirat nga Dodik
Emisari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë të dielën Sarajevën për shkak të tensioneve në Bosnje-Hercegovinë. Escobar pritet të zhvillojë takime me disa nga liderët atje. Vizita e tij pritet të ndodhë pas seancës së Këshillit të Sigurimit në OKB lidhur me situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila pritet të zhvillohet sot.
Emisari i SHBA-së pritet të propozojë mënyra për të zhbllokuar krizën dhe për të evituar kolapsin e institucioneve në Bosnje-Hercegovinë. Vendi është zhytur në një krizë të thellë si rezultat i lëvizjeve të anëtarit serb të Presidencës, Milorad Dodik, i cili po nxit shpërbërjen territoriale në vija etnike.
Të enjten e kaluar Escobar porositi Dodik se kërcënimet e tij për t’u shkëputur nga Bosnja mund të çojnë në izolimin ekonomik të serbëve. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë, përmes një postimi në “Twitter” të Escobar e paralajmëroi Dodikun se “kërcënimet për shkëputje dhe ndalim të reformave” do të rezultojnë në “asgjë tjetër përveç izolimit dhe dëshpërimit ekonomik”.
Sipas Dodik, “shkëputja është diçka që do të ndodhë”, sepse Bosnja nuk po funksionon. Por ai tha se serbët nuk kanë asnjë plan për këtë. Dodik ka bërë thirrje prej kohësh për shkëputjen e Republika Srpska, një rajon i banuar me shumicë serbe në Bosnje, dhe për këtë ka marrë edhe mbështetjen e zyrtarëve të lartë në Beograd, si për shembull Kryeparlamentari Ivica Daçiç.
Së fundmi, Dodik tha se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit. Escobar, gjatë bisedës me Dodikun, konfirmoi përkushtimin e fuqishëm të Uashingtonit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të BosnjeHercegovinës.
Lufta e viteve 1990 në Bosnje, në të cilën janë vrarë më shumë se 100,000 persona, ka përfunduar me një marrëveshje të paqes, e cila e ka ndarë këtë vend në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Srpska. Dy entitetet udhëhiqen nga qeveria qendrore. Dodik është anëtari serb i Presidencës trepalëshe, e cila përbehet edhe nga një president mysliman dhe një kroat.