Bota

Trump: Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor mes tyre, nis nga sot në orën 23:00!

Presidenti Donald Trump ka njoftuar se me ndërmjetësimin e tij, Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor mes tyre.

Postimi i plotë i Donald Trump.

Sapo zhvillova biseda të shkëlqyera me Presidentin shumë të respektuar Joseph Aoun të Libanit dhe me Kryeministrin Bibi Netanyahu të Izraelit. Këta dy liderë kanë rënë dakord që, për të arritur PAQE mes vendeve të tyre, do të nisin zyrtarisht një ARMËPUSHIM 10-ditor në orën 5 pasdite (23:00 ora shqiptare).

Të martën, të dy vendet u takuan për herë të parë pas 34 vitesh këtu në Uashington, D.C., me Sekretarin tonë të madh të Shtetit, Marco Rubio.

Unë kam udhëzuar Zëvendëspresidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Rubio, së bashku me Kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, Dan “Razin’” Caine, të punojnë me Izraelin dhe Libanin për të arritur një PAQE të qëndrueshme.

Ka qenë nderi im të zgjidh 9 luftëra në mbarë botën, dhe kjo do të jetë e 10-ta ime, ndaj le ta PËRFUNDOJMË!  Presidenti DONALD J. TRUMP.

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidentin e Libanit, Joseph Aoun.

Sipas mediave të huaja, kjo duket se është telefonata e parë midis dy udhëheqësve. Aoun u bë President në janar të vitit të kaluar.

Një deklaratë e ndarë në llogarinë e Aoun në rrjetet sociale nënvizonte se Presidenti libanez “ripërsëriti gjatë telefonatës falënderimet e tij për përpjekjet që Trump po bën për të arritur një armëpushim në Liban dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

Aoun shprehu gjithashtu dëshirën e tij për të ndaluar armiqësitë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Trump u përgjigj me mbështetjen e tij për Libanin dhe një “angazhim” për të përmbushur kërkesën libaneze për armëpushim, thuhet në deklaratë.

Kjo bisedë telefonike është lëvizja e fundit diplomatike, ndërsa po shtohet shpejtësia drejt një armëpushimi në Liban.

Të martën, zyrtarët izraelitë dhe libanezë zhvilluan bisedime në Uashington mbi konfliktin, hera e parë që të dy vendet e bëjnë këtë që nga viti 1993.