Boksieri shqiptar, Florian Marku u arrestua në Gjermani, shtet ku udhëtoi ditë më parë, i nisur nga Anglia. Në hyrje të kufirit iu bë e ditur se për të ka një urdhër-arrest nga shteti grek. Eshtë fjala për një çështje të 14 viteve më parë kur ishte 18-vjeç. Në atë kohë, për shkak të një sherri në Selanik, ai u prangos me akuzat e plagosjes e armëmbajtjes pa leje. Më pas, boksieri u dënua me 7 vite burg, por kreu vetëm 1 vit e gjysmë.
Pak vite më parë, çështja u apelua dhe sipas ndryshimeve të fundit në ligjin grek duhet të kryejë të paktën 1/3-at e dënimit. Aktualisht, Florian Marku ndodhet në paraburgim në Gjermani, në pritje të esktradimit drejt Greqisë. Procedura e përgatitjes së dosjes kërkon kohë dhe mund të shkojë deri në 1 muaj, ndaj ekstradimi mund të ndodhë në ditët e para të 2025-ës.
Palës mbrojtëse iu tha se Florian Marku duhet të kryejë pjesën e mbetur të dënimit dhe vetë boksieri ka pranuar. Burime pranë familjes së 32-vjeçarit thonë se Marku duhet të kryejë rreth 6 muaj burg për ta quajtur çështjen “të mbyllur”.
Marku nuk është i njohur vetëm në Shqipëri, por edhe në Angli. Pas shumë fitoreve në karrierë, më 31 mars u përball në Londër me Chris Congo-n, boksier i njohur në arenën ndërkombëtare e që i shkaktoi humbjen e parë Markut. Ky i fundit kishte premtuar se pas një pushimi të shkurtër do të rikthehej për hakmarrje, por duket se do të presë.