Vrasja e 44-vjeçarit shqiptar Françesk Shkambi në Miçigan të SHBA-ve, mësohet se viktima ishte i afërm i Elvis Shkambit, 30-vjeçarit që më 6 tetor vrau gjyqtarin e Apelit, Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë.
Po ashtu, Françesk Shkambi ishte personi që pak javë më parë hapi një fushatë GoFundMe për të mbledhur fonde në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit, duke u prezantuar si familjar i tyre. Fushata kërkonte mbështetje financiare për “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur” e arriti të grumbullonte mbi 8 mijë dollarë.
Mediat amerikane raportuan se ngjarja e 16 nëntorit u regjistrua rreth orës 21:30 me atë lokale, në verandën e restorantit Prime 7 në Commerce Township, ku Françesk Shkambi ishte menaxher dhe bashkëpronar. Ai u gjet i plagosur rëndë e pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, ndërroi më pas, në spital.
Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në polici për t’u dorëzuar dhe u arrestua. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet të jetë arma e krimit, e raportuar më herët si e vjedhur.
Autoritetet amerikane thanë se viktima dhe autori e njihnin njëri-tjetrin dhe mes tyre kishte një konflikt të vazhdueshëm, por rrethanat e plota nuk janë bërë ende publike.
Stafi dhe familjarët e 44-vjeçarit e përshkruan atë si një njeri të qetë, punëtor dhe të dashur, ndërsa lajmi i vrasjes së tij ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin ku jetonte. Restoranti ku punonte njoftoi mbylljen e aktivitetit për shkak të tragjedisë.