Rajoni

Ura e re për automjete mbi lumin Ibër, reagon Albin Kurti!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi për hapjen për qarkullim të një prej urave të ndërtuara nga qeveria e që lidh pjesën jugore të Mitrovicës me atë të veriut. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti njofton edhe se po vijojnë punimet për urën tjetër.

Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër. Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë, shkruan Kurti.

Ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi Ibër, autoritetet kosovare e filluan edhe pse pati kundërshtime të forta nga serbët lokalë e reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Vazhdimisht, qeveria e Kosovës ka thënë se ndërtimi i këtyre urave për këmbësorë dhe automjetet, synon të lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

Ekzekutivi ndau rreth tre milion euro për ndërtimin e tyre dhe tha se të dyja do të përfundonin në vjeshtë. Ndërtimi u refuzua nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që gëzon përkrahjen e Beogradit. Kjo parti organizoi edhe një peticionin që mori mbi 3.500 nënshkrime.

Bashkimi Europian u shpreh se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike e politike”, duke shtuar se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë e dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.

Eshtë e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale.

Ndërsa filluan punimet për ndërtimin, prokurorët njoftuan se kishin autorizuar hetime, për shkak të dyshimeve për shpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.

Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ndau të dhëna të tjera. Ura kryesore mbi Ibër është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo urë njihet për përplasjet etnike pas luftës ndaj është nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.