Bota

Uragani Ian, 87 viktima në Amerikë!

Të paktën 87 persona kanë humbur jetën nga goditja e uraganit Ian, në shtetin amerikan të Floridas, si dhe në Karolinën e Veriut. Stuhia tropikale shkaktoi përmbytje dhe shkatërrim në jugperëndim të Floridas, ndërsa më të prekura ishin Fort Myers, Fort Myers Beach e Cape Coral. Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar në zonat e rrënuara.

Sipas NBC News, dyshohet se numri i viktimave do të vazhdojë të rritet. Në Karolinën e Veriut, katër persona humbën jetën. Pasi të mërkurën e kaluar, stuhia shkatërruese e kategorisë së katërt arriti në tokë, po zhvillohen përpjekje shpëtimi për të ndihmuar popullatën.

Presidenti Joe Biden deklaroi se uragani Ian “mund të jetë më vdekjeprurësi” në historinë e vendit. Më 29 shtator, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi:

Ky mund të jetë uragani më vdekjeprurës në historinë e Floridas. Shifrat janë ende të paqarta, por jemi duke i ndjekur raportet e vazhdueshme për atë që mund të jetë një humbje e konsiderueshme e jetëve.

Pjesa më e madhe e 83 viktimave në Florida gjetën vdekjen të mbytur, ndërsa raportohet për dy të moshuar që ndërruan jetë kur nga ndërprerja e energjisë elektrike, mbetën pa oksigjen.

Presidenti dhe zonja e parë Jill Biden pritet të udhëtojnë në Florida, pas dy ditësh ndërsa sot shkojnë në Porto Riko.

Në ditët e fundit të shtatorit, në Kubë, rreth 1 milion persona mbetën pa energji elektrike, pasi uragani Ian goditi pjesën perëndimore të ishullit. Siç bënë të ditur njëri prej termocentraleve kryesorë doli jashtë funksioni. Dy persona ndërruan jetë e disa ndërtesa u shkatërruan.

Uragani Ian, i kategorisë së tretë, u shoqërua me erëra që arritën shpejtësinë deri në 205 kilometra në orë. Në Kubë, uragani Ian preku tokën në provincën Pinar del Rio, ku ishin ngritur 55 vendstrehime dhe u evakuan 50 mijë persona. Aty u dërgua edhe personeli i emergjencave për të mbrojtur rajonin më të njohur të këtij vendi për prodhimin e duhanit.