Të heqësh dorë nga nikotina nuk është e lehtë, por ekspertët sugjerojnë se disa ushqime mund të ndihmojnë trupin të përballet më mirë me këtë proces dhe të reduktojë varësinë.
Hithra konsiderohet veçanërisht efektive falë përmbajtjes së lartë të hekurit, duke ndihmuar në detoksifikimin e organizmit dhe forcimin e sistemit imunitar gjatë periudhës së lënies së duhanit.
Po ashtu, perime si selinoja, kungulleshkat, patëllxhanët, fasulet dhe kastravecët ndihmojnë në uljen e dëshirës për nikotinë. Ndërkohë, rekomandohet të shmangen perimet shumë të ëmbla, pasi sheqeri i tepërt mund të aktivizojë zonat e trurit që lidhen me ndjesinë e kënaqësisë dhe të rrisë dëshirat.
Frutat e pasura me vitaminë C, si portokajt, ndihmojnë në përshpejtimin e metabolizmit dhe reduktimin e stresit, ndërsa kivi kontribuon në eliminimin e nikotinës dhe rikthimin e vitaminave A, C dhe E që dëmtohen nga pirja e duhanit.
Lëngu i karrotës, i pasur me vitamina A, B, C dhe K, ndihmon në pastrimin e organizmit nga nikotina dhe përmirëson shëndetin e lëkurës, e cila shpesh dëmtohet nga duhani.
Ndërkohë, brokoli përmban vitamina B5 dhe C dhe substanca që mbrojnë mushkëritë nga toksinat, ndërsa spinaqi, i pasur me acid folik dhe vitamina, ndihmon gjithashtu në procesin e pastrimit të trupit.
Përfshirja e këtyre ushqimeve në dietën e përditshme mund të lehtësojë procesin e lënies së duhanit dhe të përmirësojë shëndetin e përgjithshëm të organizmit.