Aktualitet

110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë/Dita e Flamurit!

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 110 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme në trevat shqiptare dhe për shqiptarët anembanë botës. Kjo datë shënon dy momente të veçanta për historinë e vendit tonë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar, mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë, shtet sovran dhe të pavarur.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mban pritjen shtetërore të rastit. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë organizojnë javën festive, me evente që do të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë, për të kulmuar me koncertin madhështor “110 vjet Forca të Armatosura-Së bashku për Paqen”, më 3 dhjetor.

Po ashtu, këngëtarja e famshme Dua Lipa do të performojë sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me rastin e 28 Nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë më parë, mori nënshtetësinë shqiptare nga presidenti Begaj.

Të ardhurat nga aktivitetet dhe koncertet do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta ruse në Ukrainë.

Si çdo vit, epiqendër e festimeve janë Tirana dhe Vlora. Po ashtu, në Prishtinë ka një agjendë të kremtimeve:

Në orën 11:00 pranë Fakultetit Filologjik do të bëhet përurimi i shtatores së Prof. Anton Çettës.
Në orën 11:30 do të mbahet ekspozita personale e prof. Anton Çettës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Në orën 12:15 do të bëhet përurimi i veprës artistike “Këmbëkryqi” tek sheshi “Zahir Pajaziti”.
Nga ora 10:00 – 22:00 do të mbahet panairi “Blej Shqip” tek sheshi “Nënë Tereza”.
Në ora 13:30 do të mbahet edicioni i parë i “Festivali i Plisit” ku do të bëhet inaugurimi i monumentit të Plisit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, komuniteti shqiptar sot do të ngrejë flamurin shqiptar në Bergen County. në nderim të Ditës së Flamurit.