Botë e Çuditshme Design Gossip

Artistja e parë femër në Afganistan që bën graffiti rrëfen peripecitë e saj në vendin ku gratë janë të mallkuara!

Pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit, shumë qytetarë të këtij vendi janë të pasigurt për të ardhmen e tyre. Një prej tyre është edhe Shamsia Hassani, një piktore që konsiderohet si artistja e parë femër e rrugës e Afganistanit. Punimet e saj nuk tregojnë vetëm rolin e femrës në një shoqëri të dominuar nga meshkujt, por pasqyrojnë edhe luftën që ka rrënuar atdheun e saj.

Unë nisa të bëja graffiti për të mbuluar me ngjyra muret që janë “rrahur” nga lufta në vendin tim. Ngjyrat mbulojnë historitë e trishta të luftës dhe njerëzit mund të shikojnë gjëra të reja në vend të vrimave që kanë hapur plumbat.

Por, nuk ka qenë e lehtë për të që të vizatonte në vende publike. Ajo u shpreh se:

Njerëzit në Afganistan nuk janë kundër artit, por janë kundër aktiviteteve të femrave. Kur më shikonin në rrugë duke bërë graffiti, thonin fjalë të këqija dhe më mallkonin. Vetëm 15 minuta mund të pikturoja në rrugë sepse më shumë se kaq nuk ndihesha mirë. Kështu që largohesha pa e mbaruar pikturën ose bëja diçka të thjeshtë. Nëse do të kisha mundësi të punoja e qetë për 2-3 orë, do të kisha bërë gjëra më të bukura.

Rikujtojmë, se në Afganistan, muzika do të ndalohet përsëri. Ky njoftim u bë nga zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.

Muzika është e ndaluar në Islam, por ne shpresojmë që të jemi në gjendje t’i bindim njerëzit të mos i bëjnë këto gjëra, në vend që të ushtrojmë presion.

Nën sundimin taleban në vitet 1990, muzika, televizioni dhe kinemaja ishin të ndaluara dhe shikimi i tyre përfshinte ndëshkime të rënda. Në kthesën e mijëvjeçarëve, kontrolli fondamentalist kishte çuar në ndalimin e revistave të modës, alkoolit dhe kozmetikës.

Së fundmi gjithashtu është bërë virale një fotografi prekëse e një vajze të vogël afgane në momentet e para që preku tokën në një aeroport belg pasi ishte evakuuar nga vendi i saj i lindjes. Sipas mediave të huaja, fotografia është bërë në aeroportin ushtarak Melsbroek pranë Brukselit ditën e mërkurë.