Aktualitet

Autoriteti i Dosjeve: Ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit edhe në Kuvend!

Autoriteti i Dosjeve hapi letrat në Kuvend dhe zbuloi se ish-bashkëpunëtorë të shtetit rezultojnë të jenë ulur në karrigen e deputetit, legjislaturën e shkuar. Kryetarja Gentiana Sula:

Pyeti për Parlamentin e mëparshëm, sa persona janë me dokumenta dhe ne bëmë verifikimin, e legjitimuam si kërkesë dhe i thamë: atëherë kishte pesë perona me çështje, por që nuk ishin verifikuar.

Nga 140 deputetë të Parlamentit aktual, vetëm 10 ligjvënës kanë guxuar të  verifikojnë të shkuarën e tyre.  Për të spastruar politikën nga ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula kërkoi ndërhyrje në Reformën Zgjedhore.

Kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj:

Sa deputetë të këtij Parlamenti, të zgjedhur vjet rishtas, kanë kërkuar tek ju verifikim të figurës?

Skënder Vrioni nga Autoriteti i Dosjeve deklaroi:

Numërohen me gishtat e dorës, jo më shumë se 10. Një ndër ta që kanë kërkuar është dhe vetë zoti Alibeaj, i cili doli figurë e pastër.

Kryetarja Gentiana Sula:

Ne kemi propozuar që për shembull, të bëhet një vetëdeklarim, njerëzit të vetëdeklarohen dhe më pas t’i lihet kohë institucionit të bëjë verifikimet sepse partitë vetë nuk e kanë kërkuar këtë gjë dhe është mëkat! Neve nuk e bëjmë dot kryesisht, sepse ligji thotë: me kërkesë, kështu që këtu, i kemi pak a shumë, duart e lidhura.

Përgjatë vitit 2021, Autoriteti i Dosjeve ka verifikuar 2 mijë e 189 kandidatë përpara emërimit, ngritjes në detyrë apo  fazës për t’u zgjedhur deputetë dhe kryetarë bashkie. 71 prej tyre kanë rezultuar të kenë implikime të ndryshme. Rrjeta e verifikimit ka peshkuar ish-sigurimsat, më së shumti mes njerëzve të drejtësisë dhe në polici, ku në grupin e parë rezultojnë me dosje 13 persona ndërsa në polici gjashtë.