Celebrities

Beniada finalistja e dytë zyrtare e “Big Brother VIP”, flet për herë të parë kushërira e saj, së cilës i ka besuar gjithçka!

Beniada është ndër banorët e “Big Brother VIP” që ka fituar dashurinë e publikut përgjatë rrugëtimit të saj në këtë reality show. Mbrëmjen e së martës në përballje me Monika Lubonjën në prime ajo u shpall zyrtarisht finalistja e dytë. Sot për të folur mbi eksperiencën e Beniadës përgjatë këtyre 4 muaj e gjysmë ishte Alda Hasa, kushërira e parë e Benit.

Alda është personi që Beniada zgjodhi t’i shkruajë letrën dhe që herë–herë e ka përmendur brenda shtëpisë.  Kjo është intervista e parë e Aldës, me të cilën do të mësojmë më shumë detaje pasi Beniada i ka besuar asaj menaxhimin e instagramit, veshjet dhe gjithçka që lidhet me të…

Mbrëmjen e së martës Beniada u shpall zyrtarisht finalistja e dytë. E prisje, kishe mëdyshje mes saj dhe Monikës?

Falë teknologjisë kemi krijuar një grup në WhatsApp ku jemi familjarët e saj. Dita-ditës i shtohen më shumë familjarë. Asnjëri nuk kishte dyshime se Beniada do futej në finale. Beniada ka patur një mbështetje shumë të madhe dhe i falenderoj pafund të gjithë. Monika pa dashur i ka bërë një të mirë Beniadës që e zgjodhi për televotim duke i siguruar finalen. Kur u zgjodh si finaliste kemi uruar të gjithë njëri-tjetrin sikur ishin festat e fundvitit (qesh).

Alda ti je personi që Beniada vendosi të të shkruajë një letër. Si u ndjeve teksa dëgjove emrin tënd, e prisje?

E kam parë që u mendua shumë. Mendoj që më shikon si një motër të madhe dhe do ketë pyetur se si e shohin nga jashtë. Mendova në fillim se do të zgjidhte dhe të ëmën, por më zgjodhi mua. Ne jemi tre motra dhe Beniadën e kemi patur si motër të katërt, jemi shumë të lidhura. 

Alda, Beniada të ka besuar menaxhimin e Instagramit i cili këto muaj sigurisht nuk ka pushuar…Çfarë të ka bërë përshtypje në Instagramin e saj, çfarë shkruajnë?

Në fillim më pyesnin si ka mundësi që Beniada po poston kur ajo është aty brenda. Instagrami i saj ka patur shumë rritje, gati dyfish. Falë një shoqeje që më ndihmon me postime ia kam dalë. Nuk e shikoj dot 24 orë, por më kanë ndihmuar goxha fansat e Beniadës që më sjellin postime. Instagrami do shumë kohë, më zë gati 7 orë në ditë. 

Si të është dukur loja e saj përgjatë këtyre 4 muajve e gjysmë?

Lojën e Beniadës e kam parë që Beniada e ka shijur 100%. Ka bërë një lojë të sinqertë. Ajo sillet aty brenda ashtu siç është dhe jashtë. Ashtu siç sillet dhe me ne. Beniada ka vendosur që të sillet si t’i vijë sepse ajo nuk ka njohur asnjë nga banorët nga jashtë. 

Iliri nga ana tjetër e quajti Beniadën “Ambasadore e Paqes”, pra që kërkon te këtë marrëdhënie të mirë me të gjithë. E penalizon kjo? Si e gjykon ti?

Me debatin që ka ndodhur kohët e fundit nuk jam ndier mirë. Duke njohur dhe tipin e Beniadës ajo nuk ka qejf që të përballet. Beniada është paqësore por jo konfliktuale. Kjo gjë nuk e ka penalizuar Beniadën por ia ka rritur vlerat asaj si vajzë. 

Kush mendon se janë 2 finalistët e tjerë që do i bashkohen Ilirit dhe Beniadës; Donaldi, Einxhel, Monika apo Arjola?

Donaldi e meriton finalen, Arjola e tha vetë që u kthye vetëm për respekt meqë kishte biletën e kthimit. Mendoj që Einxhel do të shkojë në finale dhe jo Monika edhe pse është garë e fortë.