Aktualitet

Buxheti 2023, BSH: Rreziqe të larta për deficitin!

Në Komisionin kuvendor të Ekonomisë, guvernatori Gent Sejko, sot paraqiti opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektbuxhetin e vitit 2023. Sejko tha se “Banka vlerëson pozitivisht angazhimin për konsolidim fiskal, i shprehur në reduktimin e deficitit buxhetor, nga niveli 3.3% i PBB-së i pritur për vitin 2022 në 2.6% të PBB-së për vitin 2023, si edhe përmirësimin e balancës primare, nga një deficit prej 1.3% i PBB-së i pritur për vitin 2022 në një suficit prej 0.2% të PBB-së për vitin 2023”.

Banka e Shqipërisë gjykon se konsolidimi fiskal dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare përbën kombinimin më të mirë të mundshëm të politikave ekonomike për të mundësuar uljen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.

Ndërkohë, Banka Qendrore vlerëson se Buxheti është i ekspozuar ndaj rreziqeve të konsiderueshme për një deficit më të madh se parashikimet. Këto rreziqe burojnë nga pasiguritë mbi rritjen ekonomike dhe realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave, si dhe nga pasiguritë në parashikim që sjellin shkallët e përmirësimit të eficiencës tatimore e të bilanceve të sektorit energjetik.

Për të adresuar këto rreziqe, Banka e Shqipërisë sugjeron shtimin e fondeve të kontingjencës në buxhet, duke synuar rritjen e eficiencës operacionale dhe zbatimin prioritar të planit të shpenzimeve; monitorimin në vazhdimësi të ecurisë së bilancit financiar të sektorit energjetik shqiptar dhe ndërhyrjen në kohë për të shmangur kostot potenciale që mund të vijnë nga çmimet e larta në tregjet e huaja apo situata e prodhimit të brendshëm; monitorimin e vazhdueshëm të ecurisë së të ardhurave dhe të planit të investimeve publike, për të marrë në kohë masa, të cilat synojnë kontrollin e deficitit buxhetor në vlerat e programuara.

Nisur nga trendet e pafavorshme demografike, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e tyre në trajektore të qëndrueshme e të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Në linjë me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë sugjeron përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike; integrimin e procesit të kontraktimit e përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit; përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore e financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit.