Celebrities Gossip Showbiz

Çështja e evazionit fiskal, detaje të reja nga gjyqi i Shakira-s!

Prokurorët spanjollë kanë bërë lëvizjen e radhës, për të pushuar çështjen e dytë të evazionit fiskal të yllit të popit Shakira, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme. Këngëtarja kolumbiane po hetohet edhe një herë për shmangien e 6.7 milionë eurove në tatimin mbi të ardhurat e vitit 2018 përmes një kompanie offshore. Ndërkaq, Shakira ka mohuar çdo akuzë.

Në korrik 2023, prokurorët hapën një çështje të dytë kundër saj, por tani thonë se ka “prova të pamjaftueshme” për një shkelje të mundshme tatimore. Në këtë pikë i takon hetuesit të vendosë nëse do të vazhdojë hetimi dhe mundësisht të rekomandojë që çështja të shkojë në gjyq ose të pushohet.

Nëntorin e kaluar në një rast tjetër, Shakira arriti marrëveshje me prokurorët për të paguar 14.5 milionë euro taksa për vitet 2012-2014. Pas divorcit me futbollistin Gerard Pique në vitin 2022, pas dhjetë vitesh lidhje, ylli u transferua në Miami ku jeton me dy fëmijët e saj. “Unë u vendosa në Barcelonë për t’u dhënë stabilitet fëmijëve të mi. Të njëjtën gjë kërkojmë edhe tani, në një cep tjetër të botës, pranë familjes, miqve dhe detit”-shkroi ajo në postimin e saj në Instagram.

Rikujtojmë, se ylli i muzikës pop ka dhënë lajmin e madh të një turneu botëror gjatë paraqitjes së saj surprizë në festivalin e Coachella-s. Këngëtarja kolumbiane befasoi turmën kur u ngjit në skenën e Coachellas gjatë performancës së DJ Bizarrap për të performuar këngën e tyre të re, La Fuerte. “Më në fund, ne do të shkojmë në turne. Duke filluar këtu, këtë nëntor në këtë qytet, mezi pres. Nuk mund të kërkoja më shumë”-tha ajo.

Shakira gjithashtu ka publikuar së fundmi albumin e saj më të ri “Las Mujeres Ya No Lloran”. Ky është albumi i 12-të në studio i këngëtares dhe i pari në shtatë vjet. Së fundmi këngëtarja ka folur hapur edhe për të gjitha ndryshimet që i kanë sjellë shtatzënitë, jo vetëm në aspektin familjar apo personal, por edhe në atë profesional. E ftuar në emisionin “Hot Ones” në Youtube, këngëtarja tregoi se zëri i saj ka ndryshuar shumë pasi është bërë nënë.