Bota Tech

Dhe njeriu më i pasur i botës është…Elon Musk/Rikthim i fuqishëm!

Elon Musk rimerr titullin e njeriut më të pasur në botë. Pronari i Teslës “mundi” Bernard Arnault-in duke u rikthyer në “rehatinë” e numrit një në nivel global për nga pasuria. Të paktën sipas klasifikimit të besueshëm të Indeksit të Miliarderëve “Bloomberg Billionaires Index”. Në Wall Street, aksionet e Teslas u mbyllën me rritje 5.5%, duke e çuar pasurinë e Musk-ut në 187.1 miliardë dollarë. Ai la pas manjatin e investitorin francez, Arnault i cili tani vlen 185.3 miliardë dollarë. Për 51-vjeçarin nga Afrika e Jugut, ky është një parakalim i rëndësishëm pas muajsh vështirësish me Teslën dhe që pasuan blerjen shumë të debatueshme të Twitter-it.

Fillimi i vështirë i vitit për Musk-un

Për miliarderin Elon Musk, viti 2023 hyri me vetëm 137 miliardë dollarë pasuri, pasi humbi 200 miliardë më 2022-shin me blerjen e Twitter-it. Ndikim pati edhe frika e investitorëve për aksionet e kompanisë Tesla në kohën kur dukej se Musk u shpërqendrua nga Twitter-i e konkurrenca në rritje.

Vështirësitë pas marrjes së Twitter-it

Së fundmi, miliarderi vizionar pranoi  se ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë kohë, për të stabilizuar rrjetin social Twitter, ndoshta deri në fund të vitit 2023. Vetëm atëherë, stafeta do t’i kalojë një CEO-je të ri. Musk e ka vendosur Twitter-un në një “dietë drastike”, po të kemi parasysh më shumë se përgjysmimin e stafit dhe po synon të eksplorojë rrugë alternative për të rritur të ardhurat.

Performanca e Teslës

Muajt ​​e fundit kanë qenë veçanërisht të trazuar dhe aksionet e Teslës kanë pësuar “vuajtje”, me aksionerët e shqetësuar nga spektri i një shitjeje të mëtejshme të aksioneve në gjigantin e makinave elektrike me vendim të Elon Musk-ut. Kjo për të përballuar shpenzimet dhe kostot e blerjes së rrjetit social. Por, pavarësisht frikës, tremujorin e katërt të vitit të kaluar, Tesla e mbylli me një “kërcim” fitimi prej 59% në 3.7 miliardë dollarë dhe të ardhurat u shtuan me 37%, në 24.3 miliardë dollarë.